
Tirana si qendër prodhimi softwaresh në rajonin tonë është një vizion i dëshiruar nga shume palë: kompanitë që veprojnë në fushën e teknologjisë së informacionit, të rinjtë e ekspertët informaticienë të cilët të tashmen dhe të ardhmen e tyre e shohin në Shqiperi dhe Qeveria e cila prej vitesh dëshmon se po e shtyn shoqërinë dhe jetën shoqërore-ekonomike të vendit drejt dixhitalizimit. Më së fundmi kjo u konfirmua në aktivitetin e zhvilluar në datën 29 Mars me rastin e 5-vjetorit të krijimit të AITA – Shoqatës Shqiptare të Teknologjisë së Informacionit. Aktiviteti mblodhi drejtues të kompanive anëtare të shoqatës, përfaqësues të universiteteve e të qeverisë së Shqipërisë. Në mbështetje të vizionit të paraqitur për sektorin nga Presidenti i Asamblesë së AITA, z.Grigor Joti mbi Shqipërinë si superfuqi softwarike, Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha e konsideroi idenë për shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi të vogël rajonale për prodhim softwaresh si një çështje themelore dhe u shpreh se për të përqendrimi duhet të jetë i përbashkët duke bërë me dije se qeveria këtu ka një nga projektet më të rëndësishme të saj dhe është e gatshme dhe e vendosur që së bashku me përfaqësuesit e biznesit të përcaktojë kuadrin ligjor më të përshtatshëm dhe masat lehtësuese më të fuqishme.